Për operatorët ekonomikë të përfshirë në tregtinë ndërkombëtare, rregullat e origjinës janë të rëndësishme për disa arsye. Ato mund të ndikojnë në aftësinë e operatorit ekonomik për të marrë pjesë në tregun ndërkombëtar, mund të ndikojë në çmimin dhe konkurrueshmërinë e produktit në tregun ndërkombëtar, ndikojnë në vendimet ku kompanitë të investojnë dhe nga ku të zgjedhin furnizuesit e tyre të lëndëve të para dhe mallrave të ndërmjetme.

Rregullat e origjinës përdoren për të përcaktuar vendin e origjinës së mallrave. Në varësi të origjinës, shteti mund të aplikojë dhe zbatojë një sërë masash të politikës tregtare (trajtim jo-preferencial) ose, në raste të tjera, vendi mund t'u japë gjithashtu privilegje të caktuara mallrave të origjinës (trajtim preferencial), gjegjësisht gjatë importit ai mall të përjashtohet nga pagesa e detyrimeve doganore.

Rregullat për marrjen e origjinës për trajtim preferencial janë përcaktuar në protokollet e origjinës në marrëveshjet bilaterale dhe multiraterale midis vendeve.

Sot, operatorët ekonomikë përballen me kompleksitet në zbatimin e rregullave të origjinës. Vështirësi plotësuese shkakton edhe fakti se numri i marrëveshjeve tregtare që vendosin dhe përcaktojnë rregullat e origjinës në nivel botëror është i madh dhe tashmë tejkalojnë mbi 400 në mbarë botën.

Organizata Botërore e Doganave (WCO) dhe Qendra Ndërkombëtare e Tregtisë (ITC) kanë promovuar një mjet të ri online për lehtësimin e tregtisë ( ITC-WCO Rules of Origin Facilitator), i cili mundëson kërkimin dhe përdorimin e informacionit në lidhje me marrëveshjet tregtare, të dhënat e zbatueshme doganore në vendet e destinacionit përfundimtar, rregullat e origjinës specifike për çdo produkt, si dhe informacion në lidhje me certifikatat për të treguar origjinën.

Aktualisht, janë të përfshirë 85 vende, duke përfshirë shumicën e ekonomive të zhvilluara. Mjeti online mbulon të gjitha mallrat në botë, duke filluar nga prodhimet e papërpunuara bujqësore deri tek makinat dhe elektronikat e sofistikuara.

Përdorimi i këtij mjeti është i thjeshtë, pa pagesë dhe i arritshëm përmes interneti në lidhjen e mëposhtme www.findrulesoforigin.org