Republika e Maqedonisë së Veriut përmes Drejtorisë së doganave është vendi i parë në CEFTA që paraqet një kërkesë zyrtare për të filluar procesin e njohjes ndërkombëtare të autorizimeve të lëshuara për Operatorin e autorizuar ekonomik (OAE) për thjeshtimin e doganave dhe për sigurinë. Mundësia për njohje të ndërsjellë ndërkombëtare ka hyrë në fuqi më datë 01.04.2020 me hyrjen në fuqi të vendimit nr. 1/2019 të Komitetit të përbashkët të CEFTA-s për krijimin e një procedure për njohjen reciproke të programeve kombëtare për OAE.

Kërkesa e paraqitur pranë Sekretariatit të CEFTA është fillimi zyrtar i procedurës së njohjes së ndërsjellë e cila duhet të zgjasë 3-6 muaj në të cilën periudhë Komisioni i validimit i përbërë nga përfaqësues të palëve të CEFTA-s dhe Komisionit Evropian duhet të rishikojë të gjithë legjislacionin dhe procedurën e lëshimit të OAE-së, si dhe autorizimet e lëshuara. Një kontroll i rastësishëm do të kryhet në disa mbajtës të autorizimit OAE.

Statusi OAE është një markë cilësore e njohur ndërkombëtarisht, që tregon se operatorët ekonomikë në Republikën e Maqedonisë së Veriut (prodhuesit, eksportuesit, importuesit, agjentët doganor, transportuesit) në zinxhirin e furnizimit ndërkombëtar janë të sigurt dhe se kontrollet dhe procedurat e tyre doganore janë efektive dhe të harmonizuara.

Një Operator i autorizuar ekonomik (OAE) është një entitet i aprovuar nga Drejtoria e doganave për të përdorur lehtësimin përsa i përket kontrolleve doganore që lidhen me sigurinë dhe/ose thjeshtësimet e përcaktuara me rregullore doganore. Përveç importuesve dhe eksportuesve, një prodhues, transportues, përfaqësues në procedurat doganore, mbajtësi i një depoje doganore gjithashtu mund të kërkojë një autorizim të tillë, nëse ato plotësojnë kriteret dhe kushtet e përcaktuara.

Përfitimet e mbajtjes së një OAE autorizimi janë të shumta, të drejtpërdrejta dhe indirekte. Përfitimet direkte janë: efikasitet më i madh në sistemin e vet të brendshëm dhe proceset, njoftim paraprak në rast të përzgjedhjes për kontroll doganor, qasje më të lehtë në thjeshtësimet doganore, trajtim me përparësi nëse zgjidhet për kontroll, mundësi OAE për të kërkuar një vend tjetër për kontrolle dhe bashkëpunim të shtuar me autoritetet doganore por edhe organet e tjera shtetërore.

Përfitimet indirekte do të përfshinin: ulje të incidenteve të sigurisë, zvogëlimin e vjedhjes dhe humbjes, dmth mbrojtjen e produkteve, lehtësirave, pajisjeve, informacionit dhe burimeve të vjedhjes, përdorimin e një logoje që është e dobishme si një mjet marketingu, një partner biznesi i besueshëm dhe i sigurt.

Me procedurën e njohjes ndërkombëtare, praktikisht, nëse një kompani maqedonase ka statusin e një OAE të njohur ndërkombëtarisht, kur eksporton mallra në çdo vend të CEFTA-s, do të ketë trajtimin e një kompanie "vendase", si kompanitë e vendit pritës. Të njëjtin trajtim do të ketë OAE gjatë importit në Republikën e Maqedonisë së Veriut. 

Si pjesë e presidencës maqedonase të CEFTA, Nënkomiteti për origjinën doganore të mallrave ka inicuar nisma që ky proces i njohjes së ndërsjellë dhe ndërkombëtare të zbatohet për vendet anëtare të BE-së.